Për ne

Teatri Shqiptar Shkup u themelua në vitin 1950, me rrënjë që datojnë nga viti 1949, si nismë e Këshillit Popullor të Qytetit të Shkupit. Fillimisht i njohur si Teatri Popullor i Pakicave, përbëhej nga dy grupe: Drama Shqipe dhe Drama Turke. Përmes dekadave, teatri evoluoi duke kaluar ndryshime emërtimi dhe statusi, duke i përshtatur strukturat dhe veprimtarinë e tij sipas realiteteve politike dhe shoqërore. Në vitin 2004, teatri mori emrin Institucioni Nacional Teatri Shqiptar Shkup, duke u konsoliduar si qendër e rëndësishme e artit dhe kulturës shqiptare.

Krahas kontributit me krijimtarinë e vet në zhvillimin e potencialit teatror dhe teatrin bashkëkohor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Teatri Shqiptar është etabluar si një nga burimet më të pasura për interpretimin dhe kuptimin e gjërë të nocionit kulturë. Ai shërben si një hapësirë ku takohen shtresat estetike, arsimore dhe shtresat e ndyshme shoqërore, duke kontribuar në krijimin e një vertikaleje themeluese në krijimin e politikave kulturore.